Për shkak të kësaj fotoje me 39-vjeçarin Altin Çoku i personazh i rrjetit social TikTok, 27-vjeçarja nënë e një fëmije u vetëhodh nga kati i katërt i një pallati në Kamëz. Policia e Tiranës bëri me dije se e reja kreu vetëvrasje për shkak se foto intime iu shpërnda në rrjetet sociale.
Altin Çoku person me precedentë penale të mëparshëm për akuza gati të njëjta të shantazhit nëpërmjet rrjeteve sociale që prej vitit 2009, u arrestua nga blutë e kryeqytetit me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.
Familjarët e saj nuk ishin në dijeni të kësaj historie. Ndonëse një ngjarje tragjike, kjo nuk është një histori e re për shoqërinë shqiptare e cila mesa duket vijon t’u japë zë këtyre personave në TikTok.
Dhuna dhe fjalori ofendues i përdorur shpeshherë, posaçërisht në këtë rrjet, solli dy muaj më parë dhe reagimin e ministrit të brendshëm Taulant Balla, por që mesa duket nuk ndali historinë e ngjarjeve të rënda që nga shantazhi e deri tek vetëvrasjet.
Një muaj më pas historia u ripërsërit me 27-vjeçaren ku mjaftoi vetëm një foto e shpërndarë që ajo t’i jepte fund jetës. Vetë 39-vjecari i arrestuar në të njëjtin rrjet shpjegoi se çfarë ndodhi.
Reagimi i ministrisë ishte i menjëhershëm, ndërsa vetë ministri i Brendshëm kësaj herë kërkoi ndryshimet ligjore mbi dhunën online, e cila kërkon miratim të menjëhershëm.
Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetaseje.
I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën!
Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës online, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt.
#AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund! Për sociologët ndoshta mbyllja e këtyre platformave nuk mund të jetë zgjidhja, por historitë e shantazheve duhet të jenë objekte të policisë pasi janë shtuar se tepërmi.
Dhuna në rrjetet sociale vijon të jetë kryefjalë në Shqipëri. Problemet në platformat online dhe jo vetëm i ka ndeshur dhe në nivel qeveritar.
Sulmet Kibernetike edhe të hakerave Iranianë kanë treguar se vendi ynë jo vetëm që nuk ka eksperiencën e duhur të përballet me diçka të tillë.
Ndërkohë ende nuk po dëshmohet aftësia e reagimit që të tjerëve si Altin Çoku t’u hiqet zëri dhe mundësia që të përfitojnë e akoma më keq të shkaktojnë dëme të parikuperueshme nëpërmjet rrjeteve të tilla. (A2 Televizion)