Një i ri në Mat është arrestuar nga policia, pasi i është gjetur një arsenal armësh, si kallashnikov, pistoletë, armë gjuetie dhe municion luftarak.
Armët janë gjetur të fshehura në banesën e 21-vjeçarit në fshatin Karicë, ndërsa uniformat blu kanë nisur edhe procedimi penal për babain e djalit, si person në dijeni.
“Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Weapons", për goditjen e një tjetër rasti në këtë fushë. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një 21-vjeçar që posedonte pa leje, në banesën e tij, armë zjarri dhe municion luftarak, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë në këtë banesë dhe si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 kallashnikov, 3 armë gjuetie, 1 armë zjarri pistoletë, 114 fishekë dhe 2 kapuça në formë maske, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi R. R., 21 vjeç, banues në fshatin Karicë, njësia administrative Baz. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babain e 21-vjeçarit, shtetasin H. R., 56 vjeç.” (A2 Televizion)