Një shtetas turk është ndaluar nga autoritetet shqiptare në Morinë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se shtetasi turk rezultonte se ishte dënuar nga Gjykata e Bursas me 15 vite, 2 muaj e 15 ditë burg për falsifikim dokumentesh e mashtrim.
Shtetasi turk i arrestuar është 39-vjeçari Bayram Yildiz, i cili është ndaluar me qëllim ekstradimin drejt vendit të tij, shkruan A2 CNN.
“Tentoi të hynte në Shqipëri, duke qenë i dënuar në Turqi, me mbi 15 vite burgim, për falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim, ndalohet 39-vjeçari turk, i kërkuar ndërkombëtarisht.
Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor dhe me etikë, qytetarëve në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi Bayram Yildiz, 39 vjeç, banues në Turqi.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 39-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, pasi Gjykata e Bursas, Turqi, e ka dënuar me 15 vite, 2 muaj dhe 15 ditë burgim, për falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Turqi, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit”, njofton policia, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)