Atentati ndaj Gentian Bejtjas, prokuroria hedh poshtë pretendimet e të arrestuarve, makina në vendngjarje

Nga Julian Kasapi
18 Prill 2024, 15:31 | Kronikë

Prokuroria ka arritur të sigurojë prova të reja që rëndojnë pozitën e dy të arrestuarve për atentatin ndaj Gentian Bejtjas në Larushk të Fushë Krujës. Pretendimi i Edison Haxhiut dhe Ilir Beqarajt, se në makinën tip Golf kishte GPS, hidhet poshtë nga grupi hetimor. Madje të dy pretendonin se nuk është filmuar mjeti i tyre, por ishte makinë tjetër e ngjashme që ishte pjesë e ngjarjes.

Por nga ana tjetër grupi hetimor bëri me dije se në automjetin e sekuestruar nuk ka asnjë pajisje GPS dhe hetuesit kanë prova dhe materiale filmike që tregojnë se është e njëjta makinë që u përdor për ekzekutimin e Bejtjes në Larushk të Fushë Krujës.

Hetuesit theksojnë se kjo makinë ka qenë edhe në vendin e ngjarjes, pra autorët përdorën dy mjete deri në afërsi të vilës ku u qëllua për vdekje Bejtja. Fare pranë vendit të ngjarjes dyshohet se autorët i kanë hequr targën makinës. Brenda golfit u gjetën edhe prova të tjera, ndërkohë prokuroria është në pritje edhe të tabulateve telefonike.

Gentjan Bejtja u qëllua për vdekje me breshëri kallashnikovi pasditen e 15 marsit brenda serës me domate në oborrin e shtëpisë së tij. Nga makina “Land Rover” e cila u gjet e djegur nga policia lëviznin tre atentatorë të cilët hynë brenda shtëpisë së Bejtjas.

Ndaj 43-vjeçarit ishin bërë dhe tre atentate të tjera të cilave u shpëtoi. Pas atentatit të fundit një vit më parë ku mbeti i vrarë dhe kunati i tij, por dhe u lënduan dy fëmijët e mitur Bejtja kërkoi azil dhe në Norvegji, por diçka e tillë iu refuzua. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos