Policia e Tiranës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi duke mashtruar një biznesmen nga Lushnja, i kanë marrë atij shumën prej 6 mijë eurosh.
Në pranga u vu Ervis Belollari, 26 vjeç, një personazh i njohur në TikTok me pseudonimin “Delluks”, dhe po punohet për të arrestuar mikun e tij, Arsen Matollari, 32 vjeç.
Hetimet janë kryer nga komisariati numër 6 në kryeqytet, ndërsa në videon e bërë publike nga vetë policia vihet re teksa njëri prej tyre merr shumën e parave.
Dy të rinjtë mësohet se kanë mashtruar një biznesmen në Lushnjë, duke e marrë atë në telefon dhe duke iu prezantuar si kryetar bashkie dhe zyrtar i lartë në bashki.
Sipas denoncuesit, i riu i ka thënë se ka hall shëndetësor dhe i kishte kërkuar 6 mijë euro për t’u kuruar në një spital privat në Tiranë.
Biznesmeni fillimisht ia ka dhënë këtë shumë, por pas disa ditësh është telefonuar sërish dhe i janë kërkuar edhe 7 mijë euro të tjera. Në këtë moment biznesmeni nga Lushnja e ka kuptuar që po binte pre e mashtrimit dhe ka kryer denoncim në polici. (A2 Televizion)