Vajza që shihni në pamjet e mësipërme, është 19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila dyshohet se kreu krimin e rëndë në Shënavlash të Durrësit, ku vrau babanë e saj dhe e groposi në kasollen e shtëpisë.
Në pamjet e siguruara nga A2 CNN, duket 19-vjeçarja në momentin që po rrëfen krimin para hetuesve dhe duke dhënë detaje në lidhje me dinamikën e ngjarjes, ndërsa mbahet për krahu nga një punonjëse policie, por pa pranga në duar.
Ajo është rikthyer në vendin e ngjarjes nga policia dhe grupi hetimor për të treguar me detaje atë se çfarë ka ndodhur, si dhe për të zbuluar edhe se ku ndodhet arma me të cilën ajo kreu krimin, e cila deri më tani, ende nuk është gjetur.
Një kallëzim në polici për zhdukje personi zbuloi një ngjarje mjaft të rëndë të krimit në familje. Policia e Durrësit, pas 10 ditë kërkimesh për zhdukjen e një 49-vjecari zbuloi se kemi të bëjmë me një vrasje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit, ku në oborrin e familjes Meta, është gjetur i vrarë me armë zjarri dhe i varrosur kryefamiljari Pëllumb Meta.
Në lidhje me këtë krim, policia ka arrestuar vajzën e viktimës, 19-vjeçaren Hygerta Meta, studente në Tiranë për biznes, e cila sipas të dhënave paraprake policore mësohet se e ka pranuar autorësinë e vrasjes së të atit.
Sipas dëshmisë së vajzës, ajo e ka motivuar vrasjen e të atit me faktin që ky i fundit ka tentuar ta fejojë përkundër dëshirës së saj. Kundërshtitë për këtë fejesë, sipas vajzës e kanë shtyrë atë të ndërmarrë aktin e rëndë të vrasjes së të atit dhe varrosjen e tij në oborrin e shtëpisë.
Krimi është kryer me një armë pistoletë, të cilën viktima e mbante pa leje në banesë dhe që sipas dëshmisë së 19-vjeçares pas kryerjes se krimit e ka hedhur në sektorin “Rinia” të plazhit. Atje vajza kishte lënë edhe mjetin e të atit për të humbur gjurmët.
Ndërkohë grupi i hetimit i ngritur për këtë ngjarje dyshon se vajza mund të jetë ndihmuar për kryerjen e këtij krimi dhe varrosjen e viktimës edhe nga familjarë të tjerë të cilët mendohet se kanë qenë në dijeni të krimit, por nuk kanë treguar. (A2 Televizion)