Qarkullonte i armatosur në rrugët e Tiranës, ‘Shigjeta’ prangos 50-vjeçarin dhe mikun e tij

Nga A2 CNN
18 Janar 2025, 13:19 | Kronikë

Qarkullonte i armatosur në rrugët e Tiranës,

Një 50-vjeçar në Tiranë ka rënë në prangat e Policisë, pasi është kapur teksa lëvizte i armatosur në rrugët e kryeqytetit.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se operacioni u finalizua nga Forca e Posaçme “Shigjeta” dhe Komisariati Nr.2 i Tiranës.

Po ashtu në pranga ka rënë për moskallëzim krimi edhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizjte 50-vjeçari.

Sipas Policisë, 50-vjeçari ka qenë i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje, për lëndë narkotike dhe për vjedhje me dhunë.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore, shkruan A2 CNN.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje nga Forca e Posaçme “Shigjeta” si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në planin e masave, për goditjen e paligjshmërisë në çdo fushë të saj.

Finalizohet nga Forca e Posaçme “Shigjeta” dhe Komisariati i Policisë Nr.2, operacioni policor i koduar “Again”  .

Lëvizte i armatosur me armë zjarri pistoletë dhe lëndë narkotike si pasagjer në automjet, vihet në pranga 50-vjeçari.

50-vjeçari, i dënuar disa herë për armëmbajtje, për lëndë narkotike dhe për vjedhje me dhunë.

Në pranga bie dhe drejtuesi i automjetit për moskallëzim krimi.

Sekuestrohet arma e zjarrit, lënda narkotike si dhe automjeti.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shigjeta”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në planin e masave si dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas po lëviznin të armatosur, në automjet, në rrugën "Ramazan Demneri", kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Again", për kapjen e tyre.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Volksëagen”, me drejtues shtetasin M. D. dhe pasagjer shtetasin E. G.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E.G, sherbimet e Policisë “Shigjeta” gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lëndë narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr.2 u arrestuan në flagrancë shtetasit: E.G, 50 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” si dhe M.D, 40 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos