Rekursi për 21 Janarin, prokurori i SPAK: Nuk del asnjë emër nga hetimi që çështja të na kalojë neve

Nga A2 CNN
12 Mars 2024, 14:12 | Kronikë

Rekursi për 21 Janarin, prokurori i SPAK: Nuk del asnjë emër nga

SPAK mendon se nuk është ende momenti që dosja e 21 Janarit të merret në shqyrtim prej saj. Në seancën e mbajtur, këtë të martë, në Gjykatën e Lartë, përfaqësuesi i SPAK, prokurori Alfred Shehu, tha se rekursi nuk duhet të pranohet, pasi një organ tjetër kompetent është duke vijuar hetimet për vrasjen e Aleks Nikës, për identifikimin e autorëve. “Në këtë fazë të hetimit, kurrsesi nuk mund të aludohet për krim në formën e organizatës kriminale, por edhe për emra, subjekte të SPAK”, citohet të ketë thënë Shehu.

Debati mes prokurorit të SPAK dhe trupit gjykues:

Gjyqtari lir Panda: Ju keni kryer veprime verifikuese në lidhje me këtë kallëzim?

Prokurori Shehu: Është kërkuar vetëm një informacion nga arshiva, pasi me herët në SPAK ka qenë një kallëzim tjetër me të njëjtin objekt, por me palë të tjera.

Gjyqtari Sokol Binaj: Kush heton për zinxhirin drejtues të shtetit? Ka ndonjë stimul Strasburgu për juve? Funksionarë të lartë të shtetit të implikuar në këtë linjë. Ka detyrim për juve?

Prokurori Shehu: Deri tani nga hetimi i Prokurorisë Tiranë nuk është regjistruar ndonjë emër.

Gjyqtari Binaj: Edhe po t’u dalë nuk e regjistrojnë, sepse nuk e kanë në kompetencë.

Prokurori Shehu: Praktika është që regjistrohet, por pastaj kalon për kompetencë.

Pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila e konsideronte 21 janarin krim shtetëror, familjarët e viktimave kanë paraqitur një kallëzim penal, përmes të cilit kërkojnë që hetimi të bëhet nga SPAK dhe jo nga prokuroria e Tiranës.

Në shkresën përcjellëse thuhet se “Prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm, nëse gjatë hetimit do të dalin persona që janë subjekte te SPAK për ata do të vijojnë hetimet nga SPAK”.

Përfaqësuesi i familjarëve të viktimave të 21 janarit, avokati Idajet Beqiri, deklaroi se shpallja e moskompetencës nga SPAK krijon një precedent të rrezikshëm. Ai tha se organi i akuzës nuk operon me shkresa, por me vendime.

“Kemi paraqitur një kallëzim penal për persona konkretë, të cilëve iu atribuohet vepra penale. Ata janë subjekte hetimi të Prokurorisë së Posaçme. Ne nuk prisnim nga SPAK një shkresë, si vendim moskompetencë. Organi i akuzës nuk operon me shkresa, por me vendime. 21 janari është një krim i dukshëm. Ju kemi paraqitur si provë edhe një vendim të Strasburgut, ku flitet për krim shtetëror. SPAK me këtë vendimmarrje ka krijuar një precedent të rrezikshëm. Kërkojmë të na pranohet rekursi, të prishen vendimet e GJKKO dhe Apelit dhe të urdhërohet SPAK të regjistrojë çështjen”, deklaroi Beqiri.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli