Një 19-vjeçar në Mirditë ka rënë pre e një grabitjeje të një forme të paprecedentë, teksa është marrë me forcë brenda një automjeti dhe më pas është mbajtur peng në një garazh, nga dy bashkëmoshatarë.
Skenari i denjë për filmat e Hollywood-it, ka për portagonistë Mateos Brozin dhe Ergys Tushen, respektivisht 20 dhe 19 vjeç, të cilët realizuan në bashkëpunim terrorizimin e objektivit të tyre dhe grabitjen e 220.000 lekëve.
Pasi u la i lirë prej autorëve, 19-vjeçari i grabitur ka njoftuar policinë dhe efektivët kanë bërë të mundur arrestimin e Brozit e Tushes, duke sekuestruar edhe shumën e vjedhur të parave.
“Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 19 vjeç, se ishte marrë me forcë në automjet, nga 2 shtetas të tjerë, të cilët për t’i marrë paratë, e kishin mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në garazhin e mbyllur të një pallati në Rrëshen, dhe më pas e kishin lënë në rrugë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për të identifikuar dhe arrestuar përgjegjësit. Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Telefonata”, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve Mateos Brozi, 20 vjeç, banues në Rrëshen dhe Ergys Tusha 19 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 220 000 lekë, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Audi A4”, me të cilin u mor me forcë 19-vjeçari, dhe me 2 celularët e të arrestuarve”, njofton policia. (A2 Televizion)