Shtëpia me gjethe, dikur një shtëpi ku gëlonin zërat e përgjuar dhe kujdesja për aparaturat e përgjimit, sot e kthyer në një muze kombëtar të përgjimit, këtë fundshkurti ka shërbyer edhe si një skenë teatrale ku të rinjtë e universitetit të Tiranës performuan për të treguar copëza të jetës në diktaturë, asaj jete që ata nuk e jetuan, por e njohën përmes dëshmive të atyre që vuajtën krimet e komunizmit, e që sot pak rrojnë mes nesh.
“Ishte një rrugë emocionale për të rinjtë besoj, sepse bashkë me tekstin letrar njohën edhe një pjesë të historisë së popullit shqiptar, atë pjesë të errët të cilën ne menduam ta prezantojmë në këtë buzë mbrëmjeje. Studentët e klubit të dramës patën mundësi të takojnë edhe kujtesa të gjalla, dy personalitete me të cilët ne punuam, Lek Tasi dhe Alma Liço. Ne përulemi me respekt, për dhimbjen e tyre, punën e tyre, kurajon e tyre dhe ngadhënjimin e tyre”, tha Erenestina Gjergji Halili, Kuratore e Shfaqjes.
Vargjet e Uran Kostreci, Musine Kokalarit, Sabiha Kasimatit, Genc Lekës, Vilson Blloshmit e At Zef Pllumit janë vënë përballë dënimeve edhe pa gjyq që janë dhënë në diktaturë, si për të rrëfyer se në qasjet që diktatura kishte ndaj shpirtit të artistit.
Duke kaluar me radhe ne 6 dhoma me një minutazh të sinkronizuar në perfeksion, nën muzikën e realizmit socialist dhe alarmin apo hapat e rëndë që të kujtonin përndjekjen arrestimet apo ekzekutimet, të rinjtë e klubit të dramës pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë rrëfyen për 50 minuta “MU SI NE” jetën nën diktaturën që depërtonte frikshëm në familje, duke kthyer kundër deri dhe anëtarët e saj. (A2 Televizion)