Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në 14-vjetorin e protestës së 21 janarit deklaroi se mbështet çdo hetim për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga selia blu, lideri i opozitës u shpreh se penguesi i hetimeve është Edi Rama.
Berisha shtoi se tubimi në të cilin u vranë 4 protestues, kishte qëllime politike dhe ishte më i dhunshmi që ka pasur Shqipëria, duke bërë përgjegjës për ngjarjen Ramën.
“Jam shprehur, shprehem dhe do shprehem, mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje, por gjithashtu deklaroj se nuk ka asgjë tjetër vetëm për të shpëtuar përgjegjësinë e atij që organizoi protestën më të dhunshme për qëllime të pushtetit të tij, Edi Ramës”.
Berisha, i cili ka qenë kryeministër në kohën kur ndodhi protesta, pohoi se ka shprehur keqardhjen për viktimat që natën e tubimit.
“Keqardhjen time e kam shprehur për viktimat jo pas 14 viteve, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate. Kam kërkuar një hetim ndërkombëtar. Institucionet më serioze ndërkombëtare janë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte agjendë politike”.
Lideri i demokratëve iu kthye akuzave të vjetra për ish-kryeprokuroren Ina Rama, që sipas tij refuzoi hetimin ndërkombëtar për ngjarjen, e cila aktualisht po hetohet nga Prokuroria e Posaçme. (A2 Televizion)