7 orë debate pa produkt, prapaskenat e mbledhjes së komisionit hetimor

Nga Anesti Barjamemaj
16 Maj 2024, 12:37 | Politikë

U duk se atë që nuk po e bënte dot Komisioni hetimor për kontratat koncensionare në shëndetësi, po nis ta bëjë hetimori tjetër, ai për të dhënat e sistemit TIMS. Plani i punës është miratuar, ishte konfirmuar edhe seanca me dëshmitarët e parë.

Nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deri tek ish-shefi i IT që po hetohet edhe nga SPAK, për ndodhinë e afro një viti më parë. Pritej një mbledhje maratonë dëshmish. Orë të tëra u konsumuan, por pa produkt. Që skenari do ishte ndryshe nga normalja u pa qartë që në fillim. Kërkesa e dorëzuar nga dëshmitari i parë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, për të folur pa praninë e medias, futi komisionit në debat procedural që zgjati gati 7 orë.

Nga salla e mbledhjes, Salianji kërkoi disa herë praninë e Ballës. Ministri i Brendshëm kishte ardhur në korridoret e Kuvendit, kreu demokrat i hetimorit nisi t’i japë mbledhjes edhe ngjyra show, duke luajtur edhe me frazën policore të shpalljes në kërkim.

Ndërprerjen e mbledhjes si Salianji dhe socialisti Toni Gogue, shfrytëzuan për të zhvendosur arenën e akuzave në korridore.

Ky moment shënoi dhe largimin e socialistëve nga mbledhja, ndërsa demokratët u kthyen të vetëm për të marrë në pyetje drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun. Por numri një i policisë tha pak para deputetëve. Me ikjen e mazhorancës komisioni mbeti pa kuorum dhe informacionet që ai dispononte ishin sekret. Kyçja e gojës së numrit një të policisë, detyroi Salianjin që të ndërpriste sërish mbledhjen.

Edhe dëshmitari i fundit, Ervin Muça, ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit nuk preferoi të fliste para komisionit, por kërkoi që rrëfimi i tij të bëhej në një moment të dytë. Teksa po afrohej mesnata dhe lodhja vihej re tek anëtarët opozitarë të komisionit, u njoftua mbyllja e mbledhjes. Salianji sqaroi vendimmarrjen dhe akuzoi mazhorancën për tentativë për të bllokuar hetimin.

Salianji do pyetet më 28 maj, mazhoranca bëri gjithçka për të bllokuar komisionin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos