Një qeveri teknike për të çuar vendin në zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër. Ka qenë kjo thirrja që kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka ripërsëritur nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku qëndron në arrest shtëpie prej 31 dhjetorit të vitit të shkuar.
Për Berishën është e qartë se është Edi Rama e keqja që duhet shporrur, “me të gjitha vjedhjet e tij, mashtrimet dhe rrëmbimin e votës së shqiptarëve”.
“U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen për një qeveri teknike si kushti i të gjitha kushteve që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Të votojnë me dinjitet, të zgjedhin ata drejtuesit e tyre. Si kushti i të gjitha kushteve për të vendosur barazinë para ligjit. Për t’u dhënë shqiptarëve sistemin e drejtësisë që meritojnë. Duhet të ngrihemi në betejën pa kthim, në mosbindje civile në çdo qytet, në çdo skaj të Shqipërisë, për një qeveri teknike, për betejë dhe rotacionin e pushtetit”, tha ish-kryeministri.
Sipas Berishës, pa një qeveri teknike, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj, Shqipëria do të mbetet një vend i ndëshkua dhe i braktisur. Për të shmangur këtë apeli i tij drejtuar çdo demokrati ishte që të mbillet shpresa dhe besimi për ndryshim në të katër anët e vendit.
“Edhe njëherë, Edi Ramës, jep dorëheqjen sa nuk është vonë. Largohu se forcë në botë nuk mund të pengojë shqiptarët pa rikthyer votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti, kthetrat e këtyre hajdutëve që s’i ka pasur kurrë në histori Shqipëria as Europa.” (A2 Televizion)