Shpërthimi në Lushnje me 2 viktima, ngushëllon politika! Bujar Çela i nënshtrohet operacionit

Nga A2 CNN
1 Mars 2024, 20:40 | Politikë

Shpërthimi në Lushnje me 2 viktima, ngushëllon politika! Bujar

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shkuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po u jepet ndihma mjekësore deputetit Bujar Çela dhe të plagosurve nga aksidenti që ndodhi sot pasdite në Lushnje. Referuar njoftimit të zyrës së shtypit, Nikolla u takua me personelin mjekësor dhe familjarët e të dëmtuarve dhe u uroi atyre shërim të shpejtë.

Ngushëllime ka pasur edhe nga presidenti Bajram Begaj dhe kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Bajram Begaj zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Brendshëm z. Taulant Balla për t’u interesuar mbi ngjarjen  fatkeqe, që ndodhi në Lushnjë, pasditen e sotme.  Presidenti i shpreh ngushëllimet  familjes Hoxha për humbjen tragjike të dy familjarëve të tyre të dashur.Presidenti i Republikës i uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe deputetit Bujar Çela”, thuhet në njoftim.

“Në emër të grupit parlamentar të PD shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për familjen Hoxha për humbjen e familjarëve të tyre të dashur në ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lushnje. Të gjithë jemi me ju dhe familjen tuaj në këto momente të vështira. Uroj shërim të shpejtë për kolegun deputet Bujar Çela dhe të gjithë qytetarët e plagosur nga kjo ngjarje shumë e rëndë”, shkruan Bardhi.

Si pasojë e shpërthimit, kanë humbur jetën babë e bir në Lushnje, e ndërsa 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mes tyre edhe deputeti socialist, Bujar Çela. Ky i fundit, i është nënshtruar për herë të dytë një ndërhyrjeje kirurgjikale, ku nga sa mësohet gjendja e tij paraqitet stabël.

Për të shmangur thellimin e tragjedisë, OSHEE ka njoftuar se ka stakuar energjinë për disa orë.  

“Për arsyeje sigurie, kërkuar nga organet e hetimit, linja 35kV Plasmas-Hysgjokaj do të qëndrojë e stakuar për disa orë. Pa drita mbeten: njësitë administrative Hysgjokaj, Karbunarë e Vogel dhe Ballagat (Lushnje)”, thuhet në njoftimin e OSHEE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos