Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë. Në një konferencë për mediat të hënën, Berisha e quajti 17 shkurtin e vitit 2008 si ngjarjen më të madhe për kombin, pas Pavarësisë së Shqipërisë.
“Kjo pavarësi pati çmimin më të lartë, qindra mijëra jetë, qindra mijëra të tjerë etnikisht të spastruar nga Kosova, njohu aparteidin dhe segregacionin, shtypjen më të egër, gjenocidin e nacionalizmit të verbër serb në mes të Kosovës. Kjo pavarësi para së gjithash dhe mbi të gjitha është produkt i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve të Kosovës. Por pavarësia e Kosovës ka një arkitekt, i cili ia doli në rrugë paqësore të ndërtojë tek shqiptarët e Kosovës ëndrrën e shtetit të tyre të pavarur dhe ky është Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova në një gjenialitet politik, zgjodhi rrugën paqësore për të promovuar çështjen e drejtë të qytetarëve të Kosovës në të gjitha kancelaritë e mëdha dhe institucionet kryesore ndërkombëtare”, tha Berisha.
“Sigurisht pavarësia e Kosovës nuk mund të realizohej pa epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari, luftës çlirimtare, sakrificave dhe martirizimit të mijëra bijave dhe bijve të Kosovës dhe ndërhyrjes ushtarake të aleancës së Atlantikut të Veriut, ndërhyrja më e fuqishme pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova në këto vite pavarësi ka ecur me hapa të mëdha.Ajo sot është një demokraci në konsolidim, por një shembull frymëzimi për vendet e tjera të rajonit”.
Berisha sulmoi Kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për tradhti ndaj Kosovës. “Kosova u përball këto vite me një tradhti të Tiranës zyrtare, bashkërendim të saj me Beogradin, përpjekje për destabilizim dhe të gjitha këto dështuan dhe faktikisht sot Kosova është frymëzim për të gjitha vendet e rajonit, për rritjen progresive të mirëqenies, për funksionimin e shtetit ligjor. Në këtë kuadër unë dhe njëherë përsëris urimin më të përzemërt, nderimin më të madh për të gjithë ata që bënë të mundur këtë aktin më madhor në historinë e kombit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”. (A2 Televizion)