Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, është shprehur se PD është dorëzuar dhe ka gjetur shpëtim te një kompani marketingu që sipas tij e bën të zezën të bardhë.
Komentet Peleshi i bëri gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ku foli për marrjen e drejtuesit të fushatës së Trump, Chris LaCivitas nga PD.
Ai duke e cilësuar atë si kompani marketingu, është shprehur se LaCivitas nuk e njihte fare Shqipërinë dhe shërbente vetëm kundrejt parave.
“E rëndësishme për ju është se keni gjetur shpëtim te një kompani marketingu. Që PD ta mbështes shpresën në një kompani marketingu që e bën të zezën të bardhë, duhet të jetë një dorëzim. Kjo foltore duhet të jetë për të ballafaqur ide, alternativa, medime, zgjidhje.
Nuk ka një shpëtim që vjen nga qielli. Shqipëria e së nesërmes do ndërtohet nga shqiptarët. Mos na fyeni inteligjencën gjithë kombit shqiptar dhe sillni një alternativë të vetme që kemi gjetur një kompani marketingu që nuk e njihte fare Shqipërinë, por di të bëjë të zezën të bardhë. Se kjo nuk ka fare ku të qëndrojë”, tha Peleshi, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)