“Mazhoranca na ka shpallur luftë dhe ne do i përgjigjemi në mënyrë proporcionale.”
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të vijojë aksionin në Kuvend. Seanca e kësaj të enjteje pritet t’i ngjasojë asaj të një jave me parë, pasi deputetët demokratë në mbledhjen e grupit kanë vendosur që të pamundësojnë jetë normale parlamentare.
Gazment Bardhi pas mbledhjes me deputetët e opozitës tregoi se do të tentojnë të futen në sallën e seancave plenare, pavarësisht vendimit të Sekretariatit të Etikës të Kuvendit që ka përjashtuar 24 prej tyre, shkruan A2.
“Të dënosh deputetët pa ligj, të përjashton gjysmën e grupit të opozitës, të detyrosh ata që në dy muaj të mos ushtrojnë mandatin e tyre, është një akt antikushtetues. Ndaj ne kemi vendosur që të mos i nënshtrohemi dhe ne do jemi të gjithë në seancë”.
Sa i përket pjesëmarrjes në komisionet parlamentare, Bardhi deklaroi se nuk ka një vendim për bojkot.
“Ne nuk kemi shpallur asnjë bojkot, e kemi thënë që rast pas rasti sa herë që çmojmë që ka çështje për interes publik do të jemi aty për t’i shpërbyer publikut. Por ne nuk jemi aty për të bërë kuorumin deputetëve të PS, meqë nuk shkojnë ata të bëjmë kuorumin."
Kreu i Grupit Parlamentar pohoi se përveç aksionit në Kuvend, opozita do të jetë edhe në sheshe duke iu bindur kërkesave të qytetarëve për protesta dhe mosbindje civile. (A2 Televizion)