Komisioni hetimor për koncesionet e check-up dhe sterilizimit është kthyer sërish në një arenë përplasjeje midis mazhorancës dhe opozitës.
Pas sherrit të djeshëm midis kryetares së komisionit Albana Vokshi që refuzonte t’i jepte të drejtën e fjalës socialistit Plarent Ndreca, dyshja e ligjvënësve e kanë vijuar edhe sot konfliktin mes tyre, shkruan A2.
Fillimisht Vokshi hyri në sallë e tensionuar duke kërkuar të ndalen punimet e Komisionit pasi deputetët demokratë, që janë anëtarë dhe për të cilët ka një vendim përjashtimi nga Sekretariati i Etikës pasi dogjën karriget e Kuvendit, u ndaluan nga Garda e Republikës që t'i bashkoheshin mbledhjes, raporton A2.
“Keni fjalë apo s’keni. Po si ju përdorin kështu mo? Ndërkohë që duhet të dilni të mbroni kolegët tuaj, që të filloni mbledhjen... A ka mundësi këtu”, iu drejtua Albana Vokshi kolegëve socialistë.
Më pas u përsëritën skenat e ditës së djeshme, ku Vokshi u përplas verbalisht me Plarent Ndrecën, pasi në cilësinë e kryetares ajo kërkoi largimin nga salla të zyrtarit që do të merrej në pyetje për çështjen që është objekt hetimi i komisionit.
“Ka mundësi ti. Të them unë jam kryetare, dil përjashta”, iu drejtua Vokshi dëshmitarit Gentian Opre.
“Këtu vendos komisioni , nuk vendos kryetari. Jam shumë terezi, ooo ti kryetare, ulu bëj detyrën. Ka mundësi zoti Opra je i thirrur dhe je në proces pyetje, nuk lëviz nga aty. Merret vendim nga Komisioni, jo nga kryetarja”, tha Ndreca.
Ndërkohë Vokshi e tensionuar iu drejtua duke thënë: “Ça komisioni mo, zbato rregulloren se je injorancë juridike”.
Ndreca ia ktheu: “Kujdes me gjuhën”. E para duhet të ulesh dhe ushtro detyrën”.
Pas përplasjeve verbale mes tyre, Vokshi i ka shkulur disa herë mikrofonin Ndrecës duke e hedhur në dysheme, me punonjësin e IT që i është dashur të ngrihe disa herë për ta rregulluar foninë, në mënyrë që deputeti socialist të merrte fjalën.
"Unë nuk punoj me njerëz që sillen si rrugaç", tha Ndreca, duke acaruar edhe më tepër ligjvënësen demokrate, e cila iu kthye duke thënë: "Kujt i thua rrugaç ti, të të vijë turp. Ju jeni rrugaç që bëni këto veprime. Hedhja e molotovit ishte mesazh i parë".
"Jeni të mbaruar totalisht", i tha më pas Ndreca kryetares së komisionit të "Sterilizimit", ndërsa kolegu i tij socialist Ilir Metaj shtoi: "Sillni ambulancën se kjo ka nevojë për ndihmë mjekësore". (A2 Televizion)