Një ditë pasi Këshilli Bashkiak miratoi mes zhurmës dhe tensioneve në pak minuta 18 pikat e rendit të ditës, kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi tha në Ditarin me Denisa Pashollin në A2 CNN, se nëse këto vendime nuk do të ishin miratuar dje, do të vonoheshin shërbimet për qytetarët. Sipas tij mazhoranca i ka votat për të votuar vendimet, ndërsa opozita nuk do normalitet në institucione.
"Një pjesë e qytetarëve presin ndihmën ekonomike me urgjencë, një pjesë bonusin e qirasë studentët presin të përfitojnë nga shërbimet që jep bashkia e Tiranës. Do të ishte e shkëlqyer të merreshin me votat e të gjithë palëve. Nuk ndodhi për shkak të zhvillimit të mbledhjes në kushte jo normale. Nëse vendimet nuk do të merreshin dje, do të vonoheshin shërbimet e qytetareve që kanë nevojë të mbështeten. Nuk duan të kenë normalitet në institucione, por nuk na cenon”, u shpreh kreu i këshillit bahskiak në A2.
I pyetur për 30 protestat e opozitës që kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj pas publikimit të skandalit të dosjes 5 G, Dalipi u përgjigj se; kjo nuk është kauzë që u shërben qytetarëve, por theksoi që në lidhje me akuzat dhe drejtësinë, Veliaj është shprehur publikisht në mbështetje të SPAK, ndërsa opozita reagon me dy standarde.
“Të kërkosh dorëheqjen e një kryetari bashkie nuk është kauzë dhe nuk u shërben qytetarëve. Nuk ka pasur artikulim të qartë politik se cila është arsyeja. Së pari para një viti kanë qenë zgjedhjet dhe kryetari i bashkisë ka fituar me plus 60 mijë vota, ndërsa personat që e kërkojnë këtë gjë kanë dalë në minorancë, aq sa nuk dëmtojnë dot mazhorancën e PS e aleatëve për të votuar vendimet. Mazhoranca ka qenë shumë e fortë. Besimi ndaj qytetarëve. Kjo është çështje e tyre dikush zgjedh të punojë, dikush zgjedh të bëjë këto skema. Së dyti në lidhjet me akuzat me drejtësinë personat që janë akuzuar janë para drejtësisë dhe po i nënshtrohen ligjit. Kryetari i bashkisë është shprehur publikisht në mbështetje të SPAK për këtë çështje dhe ka dhënë shpjegimet e tij para drejtësisë duke respektuar të gjitha klauzolat. Dhe jo si këta që kur u preket interesi i vet i thonë SPAK-ut skap. Në momentin që kemi dy standarde që sa herë ka të akuzuar nga mazhoranca mbështetet nga qeveria e të gjithë faktorët për ta çuar deri në fund hetimin, ndërsa nga ana tjetër dalin protestojnë e kundërshtojnë drejtësinë duke e tallur. Nuk respektojnë vendimet e SPAK, por akuzojnë duke shpikur provokime e protesta të tilla”, theksoi Dalipi në A2.
Sipas Dalipit, protesta e të hënës ishte e turpshme dhe kërcënim i sigurisë publike.
Ajo që ndodhi të hënë ishte e turpshme. Sjellje të papranueshme për shoqërinë, drejtësia ti shkojë deri në fund. Nuk mund të pranojnë gjeste të tilla e njerëz me molotovë në kryeqytet. Unë ju fola për molotovët në atë protestë që nuk kishte kauzë. Ishte kërcënim i sigurisë publike”. (A2 Televizion)