Në një takim me të deleguarit e qarkut të Tiranës për zgjedhjet e 11 majit, kryedemokrati Sali Berisha ka bërë thirrje për organizime të fuqishme, duke kërkuar nga secili prej deputetëve që të bëjnë listën e të gjithë emigrantëve që njohin nga familja dhe rrethi i tyre familjar.
“Dhe në qoftë se ndaleni për një moment, ata nuk janë më pak se 100. Vota e diasporës është historike. Janë të tmerruar”, nënvizoi Berisha.
Në vijim Berisha u ndal te amendamenti që Partia Demokratike ka propozuar, që të votojnë të gjithë emigrantët, të cilët nuk zotërojnë një dokument identifkimi shqiptar, por të vendit ku jetojnë.
Sipas tij është absurde që Partia Socialiste është deklaruar kundër kësaj praktike votimi për diasporën shqiptare.
“Tani kërkojnë që të votojnë vetëm ata të cilëve u ka ngelur në xhep dokumenti shqiptar. A ka kërkesë më absurde se kjo? Dokumentet biometrike të Gjermanisë, Francës, SHBA, kërkojnë të mos i njohin në një kohë kur këto i njeh e gjithë Europa. I njeh SHBA. Këta thonë jo, nuk do mund të votojnë me këto. Është absurde të hedhësh poshtë dokumentet biometrike të Gjermanisë, Francës, Britanisë, SHBA, etj. Vetëm një mendje primitive mund t’i lejojë vetes të arsyetojë në këtë mënyrë”, tha Berisha.
Nisur nga precedenti i krijuar, kreu i PD kërkoi nga emigrantët shqiptarë që të kërkojnë të drejtën e tyre për të votuar edhe pa ID shqiptare në posedime, duke u ngritur në protesta para ambasadave të Shqipërisë.
“I bëj thirrje diasporës të reagojë me protesta të fuqishme para ambasadave të narkoshtetit se ky është një diskriminim i paimagjinueshëm. Duhet të kesh urrejtjen ndaj votës që ka Edi Rama të urdhërojë një akt të tillë”, theksoi lideri i opozitës.
Në vijim, ai konfirmoi se PD do të votpjë çfarëdo që duhet për procesin e votës së diasporës, “por në mënyrë absolute jo, në qoftë se kërkojnë të ndëshkojnë diasporën me dokumente biometrike”.
“Kjo është marrëzi, kjo është e turpshme. Imagjino tani, janë aty një familje, burrit i ka humbur pasaporta shqiptare dhe ka marrë pasaportën gjermane. Gruaja e ka ruajtur diku. Tani kjo mund të votojë, ai jo. Tani Damiani thotë se kjo na nxjerr probleme. Si të nxirrka probleme? Po në të gjithë sistemin dixhital, ajo pranohet dhe njihet. Ajo verifikohet. Ajo është aq e sigurt sa ç’është e jona. Kurse është apo nuk është votues ai, e kemi listën e votimit ne. Ai figuron i regjistruar”, sqaroi më tej Berisha. (A2 Televizion)