Gjykata e Posaçme e Apelit ka nisur shqyrtimin e ankimit mbi fatin e përkatësisë së Partisë Demokratike. “Rithemelimi” përfaqësohet në gjyq nga Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia e ndërsa Lulzim Basha, përfaqësohet nga avokatët Rezart Kthupi dhe Indrit Sefa.
Përfaqësuesit e Berishës, kërkojnë nga trupa gjykuese mos pranimin e ankimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj, pasi sipas tyre nuk janë palë në proces.
“Gjykata e Lartë në vendimmarrjen e saj ka orientuar gjykatën e Apelit, duke pretenduar moskuptim të çështjes nga gjykata e Apelit. Kemi të bëjmë me një kërkesë ankimore e firmosur nga një palë që nuk ka qenë palë në proces dhe, si thotë gjykata e lartë, palë që nuk ka bërë asnjë kërkesë procedurale për të qenë në proces. Vetë pala është e paqartë në çfarë cilësie procedurale ka firmosur. Ka firmosur si nënkryetar apo si përfaqësues me autorizim. Deputeti Alibeaj firmos një ankim në prill kur kryetari i tij Lulzim Basha kishte dhënë dorëheqjen në mars. Kërkojmë mospranimin e ankimit të bërë nga Enkelejd Alibeaj”, kanë thënë përfaqësuesit e Berishës në sallën e gjyqit.
Mirëpo, pala e Lulzim Bashës këmbëngulë që ankimimi i Enkelejd ALibeaj është bërë nga Partia Demokratike dhe jo si individë. Sipas tyre, në këtë proces PD është palë, e për rrjedhojë legjitimohet ankimimi i bërë. Ato kërkojnë të vijohet me shqyrtimin e themelit të gjykimit.
“Gjykata e Lartë konstaton se Apeli ka cilësuar se jemi në kushtet e vetëm një pale, Partisë Demokratike.
Në rastin konkret jemi në kushtet kur kemi një vijimësi të ushtrimit të detyrës së kryetarit të partisë, fillimisht nga Lulëzim Basha e më pas nga Enkelejd Alibeaj. Subjekti që ankimon nuk është Alibeaj, por është Partia Demokratike e përfaqësuar nga Alibeaj. Nëse kryetari Basha nuk është shkarkuar, ai i kishte tagrat të përcillte tagrat përfaqësuese tek Enkelejd Alibeaj. Në 21.3.22 Basha ka paraqitur dorëheqje, por kjo nuk i ka hequr tagrat e kryetarit të partisë. Kërkesa duhet të rrëzohet dhe duhet të vijojmë me shqyrtimin e themelit të gjykimit. Këtu nuk jemi në gjykim me palë kundërshtare. Procesi ka veç një palë, PD. Ajo që duhet të zgjidhë gjykata, cila është pala që ka tagrin e përfaqësimit të ligjshëm të PD.”, tha avokati Kthupi.
Ato kanë paraqitur shkaqet e ankimimit të vendimit.
“Rezulton se shtator tetor 2021 një grup njerëzish nisën një lëvizje brenda partisë më qëllim ndryshimin e kryetarit. Nga aktet rezulton se kemi një formular për mbledhjen e firmave për Kuvendin Kombëtar. Kemi dy shifra të ndryshme, ato të depozituara te Paloka dhe te Zhukri. Nuk provohet me kartë identiteti shoqëruese që personi që ka firmosur formularin ka pasur vullnetin për ta bërë atë. Në 10.11.21 formularët janë depozituar tek Paloka që nuk ka asnjë të drejtë organizative sipas statutit.
Bashkë me këta formularë janë depozituar edhe disa lista delegatësh. Rezulton se në 11 duhet të kishte njoftim publik për thirrjen e Kuvendit, fakt që nuk është bërë. Pretendohet se është bërë përmes disa TV, ku është thënë se kuvendi do mblidhej në 18.11.21. Në 11.12.21 kemi një shfaqje publike, ku pretendohet se është mbajtur një kuvend. Paloka, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar, propozon krijimin e një organi të ri. Nga provat e listuar, rezulton se procedura për mbledhjen e Kuvendit është në kundërshtim me parashikimet statutore. Vendimet janë marrë nga një Kuvend, që nuk ishte ligjëruar”, shtoi Kthupi.
Për rrjedhojë, PD kërkon pushimin e gjykimit.
“Ne kërkojmë pushimin e gjykimit. Së pari nuk legjitimohen. Njëherë 64 nene të Kuvendit hyjnë në fuqi një moment, vetëm neni 42 mbi numrin e delegatëve nuk hyn në fuqi. Nuk legjitimohen. Nuk mund t'i drejtohen këta gjykatës. Unë ankimova vendimin e Blerina Muçës si përfaqësues.
Partia Demokratike është një. Ç'punë ka gjykata të vlerësojë jam unë palë apo s’jam palë. Të prishet vendimi i datës 25.3.23 dhe pushimin e gjykimit si një kërkesë që nuk mund të ngrihej prej tyre”, tha Sefa.
Beteja ligjore e PD
Më 11 dhjetor të 2021, Sali Berisha mbajti Kuvendin Kombëtar që shkarkonte Lulzim Bashën dhe ndryshoi logon dhe vulën
Në 18 Dhjetor, Lulzim Basha zhvilloi Kuvendin e tij Kombëtar si përgjigje për Berishën dhe sanksionoi në statut se askush që është non grata nuk duhet të jetë pjesë e PD. Ndërkohë, po atë ditë mbështetësit e Berishës zhvilluan referendumin për ratifikimin e vendimeve të 11 Dhjetorit dhe nisi punën Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
Në 25 mars të 2022 Gjykata e Shkallës së Parë, me Gjyqtar Agron Zhukrin, tashmë të shkarkuar nga Vettingu pranoi kërkesën e Komisionit të Rithemelimit për të regjistruar ndryshime statutore, por vendimi u apelua nga Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar në atë kohë.
Më 3 mars të 2023 Gjykata e Apelit vendosi ta kthente në shkallë të parë, por ndaj këtij vendimi u bë rekurs nga Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Rithemelimi dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë.
Më 27 Dhjetor 2023, Gjykata e Lartë riktheu çështjen në Apel dhe në vendimin e saj jep urdhëresa që gjykata e shkallës së dytë ta zgjidh përfundimisht çështjen. (A2 Televizion)