Berisha: Rugova, arkitekti i pavarësisë, Rama si Millosheviçi

Nga A2 CNN
10 Qershor 2024, 22:02 | Politikë

Kreu i demokratëve Sali Berisha ka uruar popullin e Kosovës për 25-vjetorin e lirisë.  

Berisha e ka cilësuar Presidentin Ibrahim Rugova arkitektin e Kosovës së pavarur, ndërsa Edi Ramën e ka krahasuar me Millosheviçin për shpërnguljen e popullsisë nga vendi.

“Kombi sot ka një datë të rëndësishme, kremton 25-vjetorin e ditës së parë të lirisë të qytetarëve të Kosovës, de facto dhe të kombit shqiptar pas shekujsh robërie. Sot ne nderojmë veprën e pavdekshme të përjetshme të presidentit Ibrahim Rugova, arkitektit të Kosovës së lirë dhe të pavarur. Nderojmë luftën legjendare, epike të UÇK-së, komandantit legjendar Adem Jashari. Nderojmë shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve në Kosovë dhe lirinë e tyre”, tha Berisha.

“Por, ne nderojmë sot 25-vjetorin e lirisë së Kosovës në një ditë kur Shqipëria përjeton pushtimin e saj më të egër në kohëra. Në një kohë kur në 8 vite, jo lufta, as edhe pushtuesi i jashtëm, por një pushtues barbar, mizor i brendshëm ka shpërngulur nga Shqipëria më shumë se sa ç’shpërnguli Sllobodan Millosheviçi me tanke, topa dhe ushtritë e tij, shqiptarë nga Kosova. Sot ne nderojmë këtë ditë në një kohë kur regjimi mban në arrest për motive strikt politike, kryetarin e PD dhe bën çdo përpjekje për asgjësimin e opozitës në Shqipëri”, shtoi Berisha.

 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani