“Fitojmë si e djathta në BE”, ashpërsohet protesta para bashkisë, policia përdor gazin lotsjellës

Nga Anesti Barjamemaj
10 Qershor 2024, 15:07 | Politikë

Me simbolikë të re u shfaqën demokratët në protestën e 11-të te Bashkia e Tiranës kundër Erion Veliajt. Me në duart një manekin të veshur me rroba burgu dhe me portretin e Veliajt mbi fytyrë, opozitarët deklaruan se kjo simbolike do bëhet realitet shumë shpejt. Edhe fjalimet kishin një narrativë te re, ku të gjithë ishin frymëzuar nga rezultati i zgjedhjeve në Bashkimin Evropian.

Pas fjalëve u kalua në veprim. Të nxitur nga folësit që kërkonin reagim, protestuesit tentuan që t’u vinin zjarrin gomave, por ndryshe nga herët e tjera, policia reagoi duke shuar çdo tentativë për zjarr.

Reagimi policor shtoi mllefin te protestuesit, të cilët u përplasën edhe fizikisht me uniformat blu, por u përballën me gazin lotsjellës.

Me temperaturat e larta dhe gazin lotsjellës kundër tyre, protestuesit u dorëzuan dhe tubimi u mbyll. Pas largimit të protestuesve, sheshi para bashkisë u rrethua nga policia e cila e konsideroi sërish si skenë krimi.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024