Nuk e priti për çlirimin! Zyra e Kurtit: Rama takim me ato që do të rregullojë raportet, s’pranoi ftesën as për 12 qershorin

Nga A2 CNN
10 Qershor 2024, 14:36 | Politikë

Ndonëse ndodhet në Kosovë, kryeministri Edi Rama nuk ka parashikuar në agjendën e tij një takim me homologun, Albin Kurti, duke konfirmuar marrëdhëniet e ftohta mes tyre. Këtë vendim, pra për të mos pasur një shtrëngim duarsh Rama-Kurti, për zyrën e qeverisë së Kosovës ka një shpjegim.

“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet”, thuhet në reagim.

Ato konfirmojnë se nga ana e Kurtit ka pasur një ftesë që Rama të marrë pjesë në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor, por si përgjigje kanë marrë një refuzim.

“Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor.  Ai është i mirëseardhur që t'i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të qeverisë së Kurtit.

Rama ka qenë i pranishëm në konferencën “Rugova dhe Perëndimi” të mbajtur këtë të hënë në Prishtinë në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos