Fitimi i mandatit të deputetit në parlamentin europian shtron një pikëpyetje për të ardhmen e Alfred Belerit. Qytetarët grekë i qepën atij kostumin e eurodeputetit duke ia paketuar për në qelinë e paraburgimit në Shqipëri, për t’i përfaqësuar në Bruksel, ndërkohë që në Himarë e kanë zgjedhur kryebashkiak.
Për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, kryetari i zgjedhur i Himarës nuk është përballë një zgjedhjeje të detyruar, pasi për të, legjislacioni shqiptar nuk e kufizon Belerin të ushtrojë mandat të dyfishtë.
“Ligji për qeverisjen vendore e ndalon një drejtuesi që të jetë deputet i Shqipërisë, nuk e di a mund të përdorim këtë analogji për Parlamentin Europian, unë gjykoj që jo”, tha ai.
Pavarësisht këtyre parashikimeve, Muçi është i idesë se kjo çështje do të shkojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me dy betimet e Belerit, një për të mbrojtur e shtetin shqiptar dhe qytetarët e Himarës, ndërsa tjetri për interesat e grekëve në Europë.
“Do jetë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që do japë vendimin nëse Beleri mund të ushtrojë detyrën si deputet i parlamentit Europian”, shtoi Muçi.
Këto kalkulime bëhen në një kohë që Beleri është në masën e arrestit me burg, i dënuar nga shkalla e parë me dy vite, ndërkohë procesi për një vendim të formës së prerë vijon në apel. Kjo masë dënimi për të plotësohet në muajin shtator, por a lejohet që ai të lërë qelinë ndërkohë që gjyqi mund të vijojë?
“Lirohet kur plotësohet afati”, tha Muçi.
Pavarësisht këtyre kalkulimeve, mandati i të zgjedhurit vendor në Shqipëri mund të përfundojë në rast të një dënimi edhe nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, çka do ta linte Belerin vetëm me kostumin e eurodeputetit pa shiritin e të zgjedhurit vendor. (A2 Televizion)