Socialistët nëpërmjet Sekretariatit të Etikës, dënuan me 10 ditë përjashtim deputetin e PD Flamur Nokën, ndërsa “falen” 4 opozitarët e tjerë Gazment Bardhi, Edi Paloka, Ervin Saljanji dhe Luan Baçi. Pasi panë pamjet nga seanca plenare e së enjtes, Sekretariati gjeti në shkelje vetëm Nokën, i cili u konfliktua verbalisht edhe me kryeparlamentaren Nikolla.
Në mbledhjen e Sekretariatit me dyer të mbyllura, e cila filmohej vetëm nga Albana Vokshi, Flamur Noka kishte mundësinë të mbrohej nga “akuzat” e mazhorancës, por zgjodhi që ndërhyrjen ta shfrytëzonte për Sali Berishën.
Një tjetër deputet i opozitës, Bledion Nallbati i shfaqur me syze në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës për shkak të dëmtimit nga protesta para Bashkisë së Tiranës, akuzoi mazhorancën qeverisëse që po përdor policinë kundër deputetëve demokratë.
Albana Vokshi, e cila filmonte edhe mbledhjen pavarësisht kundërshtimit të kryetares së Sekretariati Klotilda Bushka, i cilësoi masat e vendosura nga socialistët, si një gjyq politik kundër opozitës. (A2 Televizion)