Para takimit me shqiptarët në Athinë, Rama: Kyriakos Mitsotakis është një mik që e respektoj shumë

Nga A2 CNN
12 Maj 2024, 08:42 | Politikë

Para takimit me shqiptarët në Athinë, Rama: Kyriakos Mitsotakis

Para takimit me shqiptarët këtë të diel në Athinë, media greke “Kathimerini” ka publikuar një intervistë të shkurtër me kryeministrin Edi Rama, i cili ndër të tjera komenton marrëdhëniet me homolun e tij grek.

“Kyriakos është kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë”, shprehet Edi Rama. Ai pohon gjithashtu se është kryeministri grek që, më shumë se çdo paraardhës i tij, me të cilin ka punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.

Rama ka deklaruar gjithashtu se plani për fjalimin e tij në Athinë nuk përfshin asgjë për rastin e Fredi Belerit. “Duam ta bëjmë drejtësinë të pavarur nga pushteti politik për herë të parë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane”, thekson kryeministri shqiptar.

Ndërkohë, gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, e cila ndodhet në Athinë duke iu referuar burimeve nga mazhoranca raporton se në takimin me emigrantët që jetojnë në Greqi, do të jenë prezentë edhe kryebashkiakët socialistë. Nuk do të mungojë, sipas saj, në takim as kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pavarësisht përballjes së tij me drejtësinë në javët e fundit.

“Përveçse organizatorëve që e kanë bërë për dy javë rresht çdo ditë Athinën për të pasur sigurinë që do të zhvillohej ky takim, gjatë fluturimit tonë sot në Athinë kemi parë eksponentë të PS që kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit. Jo vetëm deputetë të PS, por kryebashkiakë nga veriu në jug. Madje ata që ishin në orët e para të mëngjesit në fluturimin tonë, i kemi parë në Athinë duke dalë shëtitje me të afërmit e tyre, para se të bëhen gati për aktivitetin e nesërm. Sot pritet të mbërrijë edhe kryebashkiaku i Tiranës, zoti Erion Veliaj që ka qenë edhe një nga personat që ka bërë më shumë thirrje për praninë e sa më shumë shqiptarëve ditën e nesërme. Do të jenë ministrat dhe të gjithë sekretarët e PS. Salla që PS ka zgjedhur për të zhvilluar këtë aktivitet ka kapacitet për deri në 6 mijë persona, por sipas organizatorëve nëse do të ketë një interes të lartë nga shqiptarët që jetojnë në Greqi do të shtohet numri duke qëndruar edhe në këmbë, përtej kapaciteteve që mund të akomodohen ulur.”

Zbarkimin e ekzekutivit shqiptar në Athinë e kanë konfirmuar edhe mediat greke, me Protothema që raporton se Edi Rama do të shoqërohet nga afërsisht 150 persona, ku bëjnë pjesë ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe gazetarë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi