Partia Demokratike e Rithemelimit kërkon nga shqiptarët në Greqi që ta presin me protesta kryeministrin Edi Rama, i cili do të zhvillojë një takim në Athinë.
Sekretari për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha, nga selia blu tha se Rama nuk është i mirëpritur pasi ai është shkaku që mëshumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë vendit.
“Partia Demokratike u kujton shqiptarëve të diasporës se ky tur me para publike, me taksat e familjarëve që kanë në atdhe, bëhet jo për emigrantet, jo për shqiptarin e punës dhe të sakrificës, që ka marrë rrugët e botës, por për vota dhe për pushtetin e Ramës dhe Rilindjes. Në këtë tur që e nis nga Athina, Rama shkon për tu kërkuar emigrantëve që ata dhe familjet e tyre në Shqipëri të votojnë për të, edhe pse ai nuk iu lejon të votojnë. Nuk i lejon dyfish: atyre në diasporë nuk u jep të drejtën e votës, dhe atyre në Shqipëri ose u blen, ose ua vjedh ose ua manipulon votën. Si qytetarë të botës së lirë, si njerëz që i kanë shpëtuar manipulimit dhe shantazhit prej tij, ata do të votojnë kundër. Në emër të Partisë Demokratike i ftoj shqiptarët në Athinë, Romë, Milano, Dyseldorf e kudo tjetër, në një detyrë patriotike: ta presin me protesta, të reagojnë si qytetarë të lirë të vendeve të lira, t’i kërkojnë llogari për vjedhjet e shfrenuara të tij, të ministrave dhe kryebashkiakëve që sjell me vete.”
(A2 Televizion)