“Ditë feste!” Rama takohet sot me shqiptarët në Athinë

Nga A2 CNN
12 Maj 2024, 08:19 | Politikë

Kryeministri Edi Rama do të mbajë sot një takim me emigrantët shqiptarë në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai e ka quajtur këtë të diel si një ditë feste.

Nuk do të mungojnë as artisët nga Shqipëria, si reperi Noizy dhe këngëtarja Era Rusi, por Athina prej një jave ka “vluar” nga debati i krijuar prej këtij manifestimi të thirrur më 12 maj, ditën kur shënohet njëvjetori i arrestimit të Fredi Belerit.

Megjithatë, i pashqetësuar e tashmë me një nga sallat e stadiumit Galatsi të konfirmuar për tubimin, Rama do të udhëtojë i qetë drejtë kryeqytetit grek paraditen e së dielës, duke zbarkuar në Athinë rreth orës 09:00, me të gjithë kabinetin qeveritar me vete.

Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, e cila ndodhet në Athinë duke iu referuar burimeve nga mazhoranca raporton se në takimin me emigrantët që jetojnë në Greqi, do të jenë prezentë edhe kryebashkiakët socialistë. Nuk do të mungojë, sipas saj, në takim as kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj pavarësisht përballjes së tij me drejtësinë në javët e fundit.

“Përveçse organizatorëve që e kanë bërë për dy javë rresht çdo ditë Athinën për të pasur sigurinë që do të zhvillohej ky takim, gjatë fluturimit tonë sot në Athinë kemi parë eksponentë të PS që kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit. Jo vetëm deputetë të PS, por kryebashkiakë nga veriu në jug. Madje ata që ishin në orët e para të mëngjesit në fluturimin tonë, i kemi parë në Athinë duke dalë shëtitje me të afërmit e tyre, para se të bëhen gati për aktivitetin e nesërm. Sot pritet të mbërrijë edhe kryebashkiaku i Tiranës, zoti Erion Veliaj që ka qenë edhe një nga personat që ka bërë më shumë thirrje për praninë e sa më shumë shqiptarëve ditën e nesërme. Do të jenë ministrat dhe të gjithë sekretarët e PS. Salla që PS ka zgjedhur për të zhvilluar këtë aktivitet ka kapacitet për deri në 6 mijë persona, por sipas organizatorëve nëse do të ketë një interes të lartë nga shqiptarët që jetojnë në Greqi do të shtohet numri duke qëndruar edhe në këmbë, përtej kapaciteteve që mund të akomodohen ulur.”

Zbarkimin e ekzekutivit shqiptar në Athinë e kanë konfirmuar edhe mediat greke, me Protothema që raporton se Edi Rama do të shoqërohet nga afërsisht 150 persona, ku bëjnë pjesë ministra, deputetë, kryebashkiakë dhe gazetarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos