Me brohorimat e mbështetësve u prit lideri i demokratëve në godinën e qelqtë, por prezenca e uniformave blu ishte më e paktë këtë herë.
Ndryshe nga situata një muaj më parë, policia kishte preferuar që të kishte një numër të kufizuar oficerësh për mbarëvajtjen e tubimit, të cilën Berisha e quan thjesht një konferencë për mediat. I shoqërua nga avokatët, lideri demokrat qëndroi pak minuta brenda godinës së SPAK dhe në dalje lexoi mesazhin që i kishte lënë Altin Dumanit.
“Kreut të kësaj organizate kriminale, Altin Dumani, që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitës të monstrës Xhorxh Soros dhe kukullës së tij në Tiranë. Por kjo politikë dështoi në SHBA dhe të njëjtin fat do ketë në Shqipëri. Firmosur, Sali Berisha”, tha Berisha.
Berisha pohoi se në radhët e prokurorëve të posaçëm ka persona të lidhur me krimin dhe shtoi se kjo strukturë ka humbur edhe mbështetjen e SHBA, ndaj premtoi se me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet SPAK do të shkrihet.
“Të njëjtin fat me bandat do kenë prokurorët që janë të lidhur me bandat. Absolutisht ky institucion nuk do të ekzistojë. Unë ndjej keqardhje se rrëmbeheni nga momente, por një institucion që është jashtë çdo kontrolli, është një institucion për t’u shuar me çdo kusht. [...] Fatmirësisht mbështetja kryesore ndaj kësaj organizate kriminale, atje ku i iniciua, atje ka rënë përtokë”, tha Berisha.
Nga konferenca për shtyp para SPAK, u transferua tek ajo nga selia blu. Pavarësisht vullnetit për të shkrirë Prokurorinë e Posaçme, nuk pranon krahasime me Kryeministrin Rama kur flitet për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë për të goditur kundërshtarët politik.
“Dallimi është ky, Edi Rama përdor Skrapin, unë nuk e kam përdorur dhe nuk do e përdor kurrë drejtësinë. Drejtësia do jetë nën ligj dhe e pavarur. E varur nga ligji. [...] E kam deklaruar dhe e deklaroj se çdo njeri i ndershëm që zbaton ligjin, a do quhet Spak apo do quhet... ne e kemi quajtur Prokurorinë e Krimeve të Rënda”, tha kreu i PD-së
Nga konferenca për mediat, Sali Berisha ftoi të gjitha forcat opozitare që të bashkohen në një front të përbashkët kundër Edi Ramës dhe konfirmoi se është në negociata me të gjithë aleatët për të arritur një marrëveshje parazgjedhore. (A2 Televizion)