Tabaku për nismën e PS: Falja e gjobave legalizon informalitetin, ja si duhej vepruar

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2024, 21:58 | Politikë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se falja e gjobave legalizon infomalitetin dhe shkeljen e ligjit.

Komentet Tabaku i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se ajo mendonte se nëse do të bëhej një amnisti për gjobat, atëherë qytetarët do të bënin shkeljen e radhës, duke pritur sërish amnisti me afrimin e zgjedhjeve.

Ajo shtoi gjithashtu se falja e gjobave për ndërtimet pa leje duhet të ishte bërë 2 vite më parë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e cilësoi ligjin si anti-kushtetues dhe jo tani në prag të zgjedhjeve.

“Në 2022 ka një vendim të Kushtetueses që e ka quajtur atë ligj antikushtetues. Pra ai ligj nuk duhet të kishte ekzistuar dy vitet e fundit, nuk duhet të ishte zbatuar. U kujtuan pas 2 vitesh për të zbatuar një vendim të Kushtetueses për një ligj që e kanë zbatuar për disa inspektoriate dhe më pas tani e falin?

Unë shikoj pjesën problematike atë të faljes së gjobave përsa i përket sigurisë së ushqimit. Unë në fakt jam për një mënyrë ndryshe të të funksionuarit të shtetit, për një sistem që nuk funksionon mbi gjobat. Këta thanë do bëjmë shtet, dhe vendosnin gjoba. Këtu bëhet fjalë që kur ti fillon me konceptin e faljeve, ti e legalizon informalitetin.

Kjo ka qenë arsyeja që unë kam qenë kundër amnistisë fiskale. Në parim unë mendoj se këto gjoba duhet të ishin falur në kohë, atëherë kur u vendosën këto gjoba. Kjo duhet vendosur edhe në një prizëm ligjor dhe shtetformues dhe duhet parë se kush i vendos këto gjoba”, tha Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos