Partia Demokratike i ka të qarta kërkesat e saj për të lehtësuar votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Kryetari Sali Berisha gjatë një konference për mediat, sqaroi se Komisioni Qendor i Zgjedhjeve duhet që të shtojë operatorët për kërkesat e votuesve nga jashtë, shkruan A2 CNN.
Sipas tij problematikë tjetër që duhet zgjidhur është edhe pranimi i regjistrimit me dokumentet biometrike të vendeve ku shqiptarët jetojnë.
“Çështje themelore që mbetet këtu është kjo, pranimi i dokumenteve biometrike të vendeve të tjera Ka një hezitim nga socialistët, sepse për arsye absurde, dokumentet biometrike të vendeve anëtare të BE, tani është koha e biometrisë, nuk mund të vihen në diskutim në mënyrë absolute nga autoritetet shqiptare”, tha Berisha.
Sa i takon mundësisë për ndryshimin e afateve për regjistrimin e partive dhe kandidatëve, Berisha pohoi se ende nuk janë bindur nëse duhet të japin votën për këtë çështje.
“Lëvizja e tyre nuk përben ndonjë problem madhor, por vetëm se duhet të justifikohet. Duhet të bindemi përse kërkohen. Disa afate na thonë që i dikton dhe posta ndërkombëtare. Kështu që ne po i stududiojmë këto propozime përpara se të vendosim”, tha Berisha.
Një përgjigje pati për të gjithë zyrtarët e Partisë Demokratike, që janë shprehur kundër zhvillimit të primareve.
“Ka një statut PD që është mbi mua, ai statut është votuar me unanimitet. Nuk jam unë statuti, unë jam njeriu që do zbatojë statutin”, shtoi më tej kryedemokrati.
Sërish nuk pati një datë se kur do të zhvillohet gara e brendshme e demokratëve, pasi siç tha tashmë të gjithë janë të të fokusuar te vota e diasporës. (A2 Televizion)