Problemet me shëndetin mendor, muajt e fundit, kanë shkaktuar disa ngjarje të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Vetëm në qarkun e Fierit gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, janë shënuar 11 ngjarje të rënda, që kanë pasur si shkak probleme të shëndetit mendor.
Ndërsa faktorët e kësaj situate sipas psikologëve janë disa, duket se emëruesi i përbashkët i këtyre problemeve mbetet humbja e rolit të familjes.
“Shkaqet janë të shumta, shëndeti mendor. Kohët e fundit është shtuar në shumë persona dhe vetë familja nuk po arrin dot ta mbajë nën kontroll. Ekonomia, pamundësia për të arsimuar fëmijët e tyre. Familja ka filluar të humbë sensin e familjes, prindi nuk arrin dot të gjejë një punë stabël për të mbajtur të qëndrueshme familjen”, shprehet psikologia Mimoza Niko.
Në të tilla situata dhe në kushtet kur edhe institucionet shtetërore po qëndrojnë thuajse pasive për të ndihmuar me punësimin e familjeve që ndodhen në vështirësi financiare, psikologia shikon si zgjidhje sensibilizmin e vetë personave që të paktën të kërkojnë ndihmën e psikologut.
“Fakti që vetë njerëzit nuk kërkojnë ndihmë kjo e shton më shumë mundësinë e depresionit, rëndimit të shëndetit mendor. Është akoma frika e turpi për të kërkuar ndihmë, shteti qëndron akoma pasiv, nuk i ndihmon familjet.”
Ndërsa për qytetarët, problemet e shëndetit mendor janë të lidhura më së shumti me pamundësinë ekonomike për të përballuar jetesën.
“Vetëm varfëria është shkak, janë ca që nuk ikin dot jashtë shtetit dhe janë të sëmurë psiqikë”.
“Streset. Shteti ka mbaruar, për çfarë shteti flet? Ky ka marrë fund me kohë. Jetohet me 110 mijë lekë me 10 insulina diabeti”, thonë qytetarët.
(A2 Televizion)