Anomalitë e motit, edhe tani në vjeshtë, po ndikojnë në rritjen e sëmundshmërisë në popullatë. Qarkullimi i shumë virozave respiratore në këtë periudhë ka mbushur pavijonet e Pediatrisë në QSUT, shkruan A2 CNN. Mjekët po përballen me një situatë gati të pazakontë për stinën e vjeshtës. Krahas shtimit të urgjencave dhe vizitave nga infeksionet respiratore, janë rritur edhe shtrimet në spital. Pavionet janë plot me pacientë të vegjël, kryesisht foshnja nën 6 muajt e parë të jetës.
Shefja e Pediatrisë Infektive, Gjeorgjina Kuli, bën përgjegjës të kësaj situate virusin respirator sincicial, apo RSV, siç njihet ndryshe. Gjatë një konference shkencore pediatrike, Kuli thotë se 60% e shtrimeve në spital janë për shkak të këtij virusi. Nuk mungojnë rastet e rënda nga meningiti, COVID-i, por edhe nga gripi, i cili sipas mjekëve këtë vit erdhi më herët se sezonet e kaluara.
Ndryshimet e klimës dhe periudha post-COVID kanë ndikuar, sipas mjekëve, në shtimin e shumë viruseve, shumë prej të cilëve nuk po njohin më stinë. Mjekët thonë se këtë vit edhe gripi ka hyrë më herët në qarkullim. Simptomat e tij ngjasojnë me COVID-in dhe RSV, por testimi bën të mundur diferencimin e diagnozës për trajtimin e duhur të pacientit. (A2 Televizion)