Sot zgjidhet kreu i ri, Kraja pozon me 3 kandidatët: SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2022, 09:13 | Aktualitet
Sot zgjidhet kreu i ri, Kraja pozon me 3 kandidatët: SPAK do të

Këtë të premte, Prokuroria e Posaçme do të bëhet me një kryetar të ri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të votojë për të zgjedhur pasuesin e Arben Krajës për një mandat trevjeçar, mes tre emrave, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Para votimit, kreu në ikje i SPAK, Kraja, postoi një foto në llogarinë e tij në Twitter me të tre kandidatët. “Suksese kandidatëve për Drejtues! SPAK do të vazhdojë të përmbushë detyrimet ligjore me efektivitet edhe më të lartë”, shkroi Kraja.

Për zgjedhjen e kreut të ri të institucionit të akuzës, të ngritur pas reformës në drejtësi për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, ka komentuar vazhdimisht ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Në daljen e fundit publike, dy ditë para votimit, Kim përsëriti thirrjen që procesi të mos ndikohet nga ata që kanë interes për të manipulojnë hetimet.

“Jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit pa frikë apo favore. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, deklaroi Kim.

Në mbështetje të deklaratës së Kim doli kryeministri Rama, i cili nënvizoi se anëtarët e KLP-së nuk duhet të dëgjojnë askënd, përfshirë ambasadën. “Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja, vulorja, fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, tha Rama.

Mbledhja pritet të zhvillohet në orën 10:00, ndërsa prezentë do të jenë anëtarët e KLP-së, si dhe të ftuar përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Programi OPDAT dhe delegacioni i Komisionit Evropian. Menjëherë pas intervistimit të kandidatëve, do të bëhet edhe përzgjedhja e fituesit, i cili do të zëvendësojë në këtë detyrë Arben Krajën. 

https://a2news.com/2022/12/14/kreu-i-ri-i-spak-reagon-yuri-kim-pa-frike-dhe-pa-favore-monitorojme-procesin/
https://a2news.com/2022/12/14/zgjedhja-e-kreut-te-spak-kryeministri-rama-jam-dakord-me-ambasaden-amerikane/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri