“Nëse duam të jemi realistë, nuk ka njeri më të mirë se ne.” Kjo fjali e teknikut të Spanjës, Luis De La Fuente, pas fitores 1-0 të “La Roja” ndaj Italisë ka ndezur debatin sa i përket skuadrave më kompetitive në fazën e grupeve të finaleve të Euro2024.
Tekniku spanjoll nuk e fshehu aspak entuziazmin për fitoren që i katapultoi në krye të grupit B, teksa kanë për të luajtur edhe ndeshjen e fundit përballë Shqipërisë, por u tregua i përulur kur tha se të gjithë rivalët duhen respektuar.
“Të gjitha ndeshjet konkurruese janë të ndryshme. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me këtë përulësi dhe të dimë se kemi ende vend për përmirësim. Kërkesat e ndeshjeve të ardhshme do të na detyrojnë të përmirësohemi dhe lojtarët ende mund ta bëjnë këtë. Ne i respektojmë të gjithë, por duhet të vazhdojmë kështu dhe mendoj se mund të bëjmë shumë”, tha ai.
I pyetur për performancën e Furisë së Kuqe përballë Axurrëve, De La Fuente tha se është i lumtur, i kënaqur dhe krenar për atë që djemtë e tij dhuruan në fushën e blertë.
“Një ditë më parë thashë që lojtarët e mi nuk lodhen kurrë duke luajtur dhe fituar dhe e dëshmuan përsëri. Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne dominuam në të gjitha fazat e lojës, krijuam shumë mundësi.” (A2 Televizion)