Pas dënimit 18-mujor në Itali për baste sportive, Sandro Tonali është vënë në qendër të vëmendjes edhe në Angli. Federata në ishull njoftoi se mesfushori i Newcastle është i akuzuar për sjellje të keqe dhe për thyerjen e rregullores që lidhet me bastet edhe në Premier League.
Futbollisti akuzohet se ka vendosur të paktën 50 baste sportive në periudhën nga 12 gushti deri më 12 tetor 2023, kur sapo u transferua nga Milani. Akuzat ndaj lojtarit nuk janë të rastësishme.
Data 12 gusht përkon me javën e parë të kampionatit anglez, ndërsa 12 tetori ishte dita kur Tonali së bashku me Zaniolon u detyruan të largoheshin nga grumbullimi i përfaqësueses italiane, pas publikimit të lajmit se ishin nën hetim në skandalin e basteve sportive. Pas akuzave nga Federata Angleze, Tonali rrezikon një tjetër skualifikim të gjatë nga futbolli. (A2 Televizion)