Champions League: Barcelona kalon në çerekfinale, Napoli në shtëpi mes akuzave

Nga A2 CNN
12 Mars 2024, 23:00 | Futboll

Champions League: Barcelona kalon në çerekfinale, Napoli në

Barcelona siguroi biletën në çerekfinalet e Champions League, për herë të parë prej vitit 2020. Katalanasit fituan me rezultatin 3-1 përballë Napolit, në ndeshjen e kthimit të 1/8. Spanjollët e panë veten në avantazh 2-0 në harkun e dy minutave. Në të 15-ën Fermin zhbllokoi ndeshjen, ndërsa në të 17-ën ishte Joao Cancelo që dyfishoi, pasi më parë Rafinja goditi shtyllën.

Pavarësisht goditjeve të shpejta, Napoli nuk u dorëzua dhe shkurtoi shifrat me Rrahmanin prej pjesës së parë. Italianët luajtën mirë, vendosën në vështirësi kundërshtarët dhe kërkuan golin, por pa gjetur barazimin. Kjo bëri që Barcelona ti godiste dhjetë minuta përpara fundit me Lewandowskin që vulosi suksesin 3-1.

Për Napolin mbetet zhgënjimi i eliminimit, mbi të gjitha për një penallti të paakorduar, që nxiti shumë polemika.

“Jemi të zhgënjyer, sepse luajtëm për të fituar, por nuk i adolëm. E nisëm shumë keq ndeshjen, duke humbur topa dhe lejuam hapësira për kundërsulme. Provuam të rregullonim diçka, por ishte e vështirë. Na mungon edhe një penallti për ndërhyrjen ndaj Osimhen, nuk e kuptoj përse sistemi VAR nuk ndërhyn në këto nivele. Gjithashtu na mungoi edhe fati, pasi mund të kishim barazuar me Lindstrom”, tha pas ndeshjes trajneri i italianëve, Francesco Calzona.

Atmosfera ishte krejt tjetër në kampin spanjoll. “Skuadra luajti një ndeshje të madhe, dominuam në sulm dhe në mbrojtje. Kemi luajtur një prej ndeshjeve më të bukura të sezonit. Kjo skuadër po kalon momentin më të mirë. Jam krenar për ekipin, për lojtarët, nga më të vjetrit deri te më të rinjtë. Jemi të lumtur sepse Barcelona është kualifikuar mes tetë ekipeve më të mira të Europës. Tani presim shortin por nuk kemi asnjë preferencë. Mund të rivalizojmë me të gjitha skuadrat”, tha Xavi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos