Emocione dhe gjigandë të futbollit botëror rezervon dhe Europa League sot në mbrëmje. Milan udhëton në Pragë përballë Slavias me synimin për të kaluar në çerekfinale. Pas fitores së vështirë 4-2 në San Siro, kuqezinjtë janë vetëm një hap larg kualifikimit më tej. Siç e theksoi dhe tekniku italian në konferencën për shtyp , kjo sfidë do të ketë vlerësime maksimale pavarësisht fitores me 4 gola në shtëpi. Dy mungesat e vetme të Milanit janë Alessandro Florenzi dhe Pobega ndërsa pjesa tjetër është gati. Ndeshja luhet sot duke nisur prej orës 18:45.
“Tani jam mirë dhe i lumtur për rikthimin tim në fushën e blertë . Luajmë dhe stërvitemi çdo ditë për një paraqitje të mirë dhe për të fituar. Edhe këtë herë do të hyjmë në fushë me të njëjtin mentalitet. E dimë që Slavia ka kualitet , ka energji që nuk i mbarojnë dhe këtë herë do të këtë mbështetjen e një stadiumi të zjarrtë. Megjithatë ne jemi Milani dhe jemi gati për këtë sfidë”, tha mbrojtësi Tomori para ndeshjes.
“Nuk do ta nënvlerësojmë këtë ndeshje , absolutisht që jo. Ndeshja e parë ishte e mirë, por nuk mund të them që dhamë 100% tonë, në Pragë duhet të kalojmë në çerekfinale me një paraqitje dinjitoze. Ata dinë të sulmojnë shumë, kanë lojtarë cilësore.. Ka shumë përqendrim nga ana jonë pasi duam me doemos që të kalojmë më tej në këtë kompeticion. Botërori i klubeve? Sinqerisht, nuk di shumë se si funksionon, por mendoj se nuk jemi pjesë për shkak se nuk kemi luajtur në Kupat e Europës për disa vite. Qëllimi mund të jetë që të shkojmë dhe ta luajmë në të ardhmen për shkak të prestigjit që Milani ka në botë”, u shpreh trajneri Stefano Pioli. (A2 Televizion)