Interi jashtë Champions League. Zikaltërit u dorëzuan pas penalltive me rezultatin 5-3 përballë Atletico Madrit, në ndeshjen e kthimit të 1/8-ave.
Pavarësisht fitores në ndeshjen e parë, e me gjithë avantazhin me Dimarco-n pas 33 minutave lojë, skuadra e Inzaghit nuk arriti ta menaxhonte situatën. Lso Colchoneros barazuan menjëherë me Griezman në të 35-tën dhe kërkuan me ngulm golin e fitores, që do ta dërgonte ndeshjen në shtesa.
Festa shpërtheu në minutën e 87-të me Memphis Depay, që shënoi golin e fitores 2-1. Pas dy pjesëve të kohës shtesë pa gola, gjithçka u vendos nga penalltitë. Heroi i Atletico Madrid dhe njëkohësisht Lojtari i Ndeshjes ishte Oblak. Portieri priti penalltitë e Sanchez dhe Classen, ndërsa vendimtar ishte gabimi i Lautaro Martinez. Madrilenët kaluan në çerekfinalet e Champions-it, Interi në anën tjetër u kthye në shtëpi.
Simeone në ekstazë, Inzaghi i zhgënjyer
“Njerëzit tanë, tifozët tanë janë vendimtarë në këtë stadium. E gjithë bota mund ta shihte këtë. Mbështetja nga tribunat e ndihmoi skuadrën që të dominonte një kundërshtar të jashtëzakonshëm. Koke dha gjithçka në fushë, ndërsa Griezman shpenzoi çdo grimcë energjie, deri sa nuk mund të vraponte dot më. Memphis u aktivizua nga stoli dhe ishte vendimtar pikërisht atëherë kur na duhej. Duket e thjesht të jesh mes tetë më të mirave të Europës, por nuk është e tillë”, u shpreh trajneri i Atletico-s, Diego Simeone, pas kualifikimit.
“Skuadra nuk është mësuar të humbasë, por kjo disfatë na dhemb sepse e kishim kualifikimin në dorë. Ka keqardhje, por jam shumë krenar që punoj me këta lojtarë. Mund të luanim më mirë në pjesën e dytë dhe në shtesa duhej të shfrytëzonim rastet tona. Në nivele të tilla çdo gabim të ndëshkon. Nga Kupa e Italisë u eliminuam në shtesë, ndërsa tani në Champions me penallti. Tani na mbeten edhe 10 ndeshje në kampionat për të arritur një objektiv shumë të rëndësishëm”, tha Inzaghi. (A2 Televizion)