Pas 60 minutash Shqipëria do të zbresë në fushën e stadiumit “Mikheil Meskhi”, të Tbilisit për të synuar tre pikët në sfidën përballë Gjeorgjisë vendase, pas dy humbjeve radhazi në Nations League.
Loja zhgënjyese dhe me pak ide në sfidën e 3 ditëve më parë në Pragë, e sidomos shterpësia në fazën ofensive duket se kanë bërë teknikun Sylvinho të ndryshojë formacionin që zbriti në fushë për të sfiduar Çekinë.
Ndryshimet më të mëdha janë bërë në mbrojtje ku Shqipëria do të luajë po me katër, por në të djathtë, titullar do të jetë Ivan Balliu në vend të Elseid Hysaj dhe në qendër vendin e Marash Kumbullës e zë Arlind Ajeti, shkruan A2.
Ndërkohë, Ardian Ismajli konfirmohet lider i repartit difensiv duke marrë edhe shiritin e kapitenit në krah, ndërsa në të majtë do të jetë si gjithmonë i pazëvendësueshmi Marjo Mitaj.
Treshja e mesfushës do të jetë ajo që luajti në Pragë, e formuar nga dyshja e Seria A, Asllani-Ramadani dhe për të plotësuar tredhëmbëshin, sërish Qazim Laçi si i përzgjedhur i Silvinjos, raporton A2.
Asani sakaq do të jetë sërish titullar në krahun e djathtë të sulmit, ndërsa në të majtë i adaptuar është Nedim Bajrami. Surpriza e madhe është qendra e repartit ofensiv, pasi Silvinjo ka zgjedhur t’i besojë që nga starti sulmuesit të Spartës së Pragës, Indrit Tuci, përcjell A2.
Kujtojmë se 24-vjeçari erdhi në grumbullim si zëvendësues i Myrto Uzunit që pësoi një dëmtim në fazën përgatitore dhe tashmë i rrëmben vendin në formacion Mirlind Dakut. (A2 Televizion)