Atletico Madrid dhe Barcelona kualifikohen në çerekfinale të Kupës së Mbretit në Spanjë. Edhe pse hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë, ky nuk është rasti i Atletico Madrid. Menjëherë pas disfatës në Superkupë, “colchoneros” reaguan, duke eliminuar Realin pas triumfit 4-2 në kohën shtesë.
Avantazhit të Atletico me Lino, Los Blancos iu përgjigjën pas gafës së portierit Oblak, përpara pushimit mes pjesëve.
Skuadra e Simeones shënoi sërish me Moratën në të 57-ën, por Reali nuk u dorëzua dhe barazoi me Joselu tetë minuta përpara fundit të kohës së rregullt.
Në shtesa vendimtar ishte Griezmann me golin e shënuar pas 100 minutave lojë, teksa Riquelme në sekondat e fundit vulosi suksesin 4-2.
Po kaq i vuajtur edhe kualifikimi i Barcelonës, pavarësisht kundërshtarit të dobët në letër. Katalanasit fituan 3-1 me përmbysje ndaj Unionistas de Salamanca nga kategoria e tretë.
Avantazhit të vendasve në pjesën e parë, Barcelona iu përgjigj me golat e Ferran Torres, Koundé dhe Balde. Skuadra e Xavi tregoi edhe një herë se po kalon një moment tejet të vështirë, por të paktën evitoi turpërimin. (A2 Televizion)