Vlerësimeve për Kristjan Asllanin i është shtuar dhe ish-futbollisti i kombëtares shqiptare Igli Tare. Në një intervistë për mediat italiane, ai tregoi se talenti kuqezi po bën shumë mirë me Interin dhe premton për të ardhmen.
Kjo vërtetohet edhe më shumë në ndeshjen e fundit që Asllani luajti si titullar me zikaltërit, madje dha edhe asist për Lautaron në takimin përballe Fiorentinës.
“Asllani është shumë i vendosur në atë që dëshiron, por për të merituar atë fanellë, nevojitet shumë sakrificë dhe shumë punë. Për t’u bërë një lojtar i madh, duhet kaluar nëpërmjet ndeshjeve si ajo ndaj Fiorentinës. Dhe ai dha një përgjigje të rëndësishme. Elozhet e Inzaghit në fund të ndeshjes e vërtetojnë”, tha mes të tjerash Tare për mesfushorin shqiptar. (A2 Televizion)