Me shiritin e kapitenit në krah, Berat Gjimshiti ishte lideri i fitores 3-0 të Atalantës në Dublin përballë Bayer Leverkusen dhe në festën legjitime i takoi atij të ngrite në qiell të parin trofe europian për klubin bergamesk.
Por me thjeshtësinë që e karakterizon, ylli i kombëtares shqiptare nguroi ta ngrite trofeun e Europa League i vetëm dhe bëri pjesë të gëzimit të tij kapitetin e Atalantës, Marten De Roon, i cili e ndoqi finalen nga stoli për shkak dëmtimi.
Gjesti i Gjimshitit ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave, ndërsa vetë ai pranoi pas ndeshjes se nuk e kishte imagjinuar kurrë më parë të ngrinte një trofe për Atalantën me shiritin në krah.
“Është e vështirë të gjesh fjalët tani, as që po e kuptoj se çfarë bëmë. Një sukses kaq i madh pas finales së humbur të Kupës është i pabesueshëm. Morali nuk ishte më i miri, por tani nuk më interesojnë 3 finalet e humbura. Shiriti? Jam krenar, sot mësova se do të mbaj shiritin në krah. Por grupi është fantastik, sot nuk kishte histori, luajtëm shumë mirë dhe e merituam. Tifozët na mbështesin gjithmonë, edhe nëse kemi humbur finalet e tjera, por sot shkoi mirë. Të gjithë të mirë, këta tifozë e meritojnë suksesin. A do e imagjinoja kur iu bashkova Atalantës? Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Kur arrita, situata dhe pritshmëritë ishin të ndryshme, ne po luanim për të shmangur rënien”, u shpreh ai.
Gjimshiti më pas thuri elozhen për teknikun bergamesk, Gianpiero Gasperini duk thënë se ardhja e tij solli një filozofi të re në klub.
“Ai gjithmonë dëshiron të përmirësojë lojtarët dhe t’i bëjë ata të performojnë më të mirën e tyre. Pastaj disa vite më vonë fillova të imagjinoj një moment të tillë, ndoshta jo Ligën e Europës, më shumë Kupën e Italisë. Por sot e meritojmë të gjithën.” (A2 Televizion)