Franco Foda është trajneri i ri i Përfaqësues së Kosovës në futboll me gjermanin që firmosi një kontratë dyvjeçare me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Në prezantimin e tij të shtunën, Foda u shpreh se me pak ndryshime ekipi mund të arrijë rezultate të rëndësishme.
“Personalisht skuadra më duket shumë interesante, shumë atraktive dhe me disa ndryshime të vogla do të kemi shumë sukses me këtë skuadër që e kemi. E njoh Rrahmanin e Napolit, Vedat Muriqin e Majorkës, Paqaradën, Alitin, kështu që i ndjek rregullisht lojtarët”, tha Foda.
Foda tha se mezi pret të takojë lojtarët ndërsa tashmë ka idenë e tij se si do të luajnë “Dardanët” nën drejtimin e tij.
“Kam parë disa ndeshje të Kombëtares së Kosovës dhe kam vërejtur që Kosova mund të luajë me variabla të ndryshme si në sulm ashtu edhe në mbrojtje dhe kemi kohë deri në mars, do të përgatitemi maksimalisht, por mendimin e parë e kam kontaktin me lojtarë për të krijuar raportin dhe pastaj të vazhdojmë tutje”, shtoi trajneri.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, uroi që Foda t’i udhëheq në një kualifikim historik në ndonjë kompeticion madhor.
“Franco Foda është trajner i rezultateve, gjithsesi edhe ne jemi si Kosovë tani më në këtë pjesë duam të kemi rezultate sepse e kemi parë zhvillimin tonë dhe uroj që këto rezultate t’i bëjmë me Franco Fodën dhe Franco Foda të jetë trajneri ynë i cili do të mbetet në histori të futbollit të Kosovës me kualifikimin e Kosovës në garat evropiane dhe ndërkombëtare në të cilat bëjmë pjesë”, u shpreh Agim Ademi.
Foda njoftoi se do të jetojë në Prishtinë, ndërsa do të ketë edhe një tur për të takuar lojtarët që luajnë në vende të ndryshme evropiane. (A2 Televizion)