Transferimet e mëdha dhe përfitimi i 1,4 milionë eurove nga shitjet e Rrapaj, Hadroj, Carës dhe Mba janë një pjesë e medaljes. Mes dëmtimeve dhe gjendjes shëndetësore, Partizani është me gjysmë ekipi në fushë.
Kundër Apolonisë në Kupë, Veselinovic do të ketë vetëm 14 lojtarë nga ekipi i parë dhe shumë të rinj nga Akademia. Por ndryshe nga fundjava dhe pas takimit me presidentin Demi, trajneri ka ulur tonet te pretendimet e merkatos.
“Domgjoni nuk do të luajë, Bitsuka është i sëmurë dhe kemi vetëm 14 lojtarë për ndeshjen. Stërvitjen e fundit po e plotësojmë me lojtarë të akademisë dhe disa prej të rinjve do t’i kemi në ekip. Megjithatë, do të monitorojmë gjendjen e secilit dhe përgatitemi për të luajtur kundër një kundërshtari serioz si Apolonia. Situata dihet: Kemi shitur katër lojtarë, Kote nuk kthehet as për një muaj. Punoj me lojtarët që kam, nuk më duket korrekte të flas për atë që mund të ndodhë apo ti ndërhyj në punë njerëzve që janë përgjegjës për pozicionet e veta”, tha trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinović.
Mes gjashtë ndeshjeve të kësaj të mërkure në kupë, në fushë zbresin edhe Egnatia kundër Kastriotit dhe Dinamo që ndeshet me Erzenin. Duel superior për një biletë në çerekfinale është Teuta-Elbasani, Vllaznia do të sfidojë Besën, teksa Skënderbeu luan me Vorën. Duelet në këtë fazë janë me një ndeshje, ku fituesi kalon në fazën tjetër. (A2 Televizion)