Shqipëria i kthen reston Gjeorgjisë, 1 gol për 3 pikë në Tbilisi

Nga A2 CNN
14 Tetor 2024, 20:02 | Futboll

Pas dy humbjeve në Nations League, Shqipëria e Sylvinhos ia ka dalë të rikthehet te fitorja dhe e bën këtë në stadiumin “Mikheil Meskhi”, të Tbilisit. Djemtë kuqezi me shumë mund, grintë, forcë dhe vuajtje ia dolën të dalin me tre pikë duke i kthyer reston gjeorgjianëve për atë fitore 1-0 në Tiranë.

Mjaftoi një gol i mesfushorit të Interit, Kristjan Asllani në minutën e 48’ të sfidës dhe administrimi i lojës më pas që Shqipëria të triumfonte.

Sfida nisi me ritëm të lartë, teksa kuqezinjtë u shfaqën të rrezikshëm që në fillim me Laçin, i cili provoi nga distanca, duke lëshuar kështu sinjale të qarta se djemtë e Silvinjos po luanin për fitore.

Të besuarit e Sagnol u kundërpërgjigjën menjëherë me Zivzivadze, që shkaktoi “drithërima” te porta e Strakoshës, i cili në minutën e 12-të u thirr sërish në detyrë duke ndalur një gol të sigurt të Davitashvilit.

Pas 15 minutash në fushë, Tuci “flirtoi” me golin por gjuajtja e tij u prit nga Mamardashvili.

Më pas në fillimin e pjesës së dytë, Asllani ndezi festën kuqezi, duke shfrytëzuar më së miri topin që Nedim Bajrami e solli deri në zonë, duke “vallëzuar” mes mbrojtësve të Gjeorgjisë.

Me fitoren e sotme, Shqipëria dhe Gjeorgjia barazohen me 6 pikë në krye të grupit, po aq sa ka edhe Çekia, ndërsa Ukraina mbetet e fundit me 3 pikë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos