Në Kishinjev, Shqipëria e teknikut brazilian Sylvinho rishkroi historinë duke marrë pikën e artë që i kualifikon për të dytën herë në Europian.
Me barazimin 1-1 me Moldavinë, djemtë kuqezi zyrtarisht kanë prerë biletën për në Gjermani, ku do të zhvillohet faza finale e Euro2024, ndërsa mbajnë vendin e parë në grup me 14 pikë.
Pas sfidës, mes lotësh ka folur për mediat kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Pasi ka shprehur falënderimet për djemtë e kombëtares dhe tifozët që kanë përkrahur ekipin në ccdo ndeshje, Duka ka vendosur objektivat duke kërkuar që në Gjermani të bëjmë më mirë sesa në 2016 në Francë.
“Ishte fundi i një cikli shumë të bukur, një edicioni fantastik, ku çunat dhanë maksimumin. Kanë shumë cilësi, përveç shpirtit dhe dashurisë për fanellën. Falënderoj shumë çunat që ishin në fushë, Sylvinhon, stafin dhe tifozerinë e mrekullueshme në të gjithë rrugëtimin. Jam shumë i bindur që të gjithë po festojnë, dikush duke brohoritur e dikush me lot. Ua dedikojmë suksesin atyre çunave fantastikë, që janë të gjithë të mrekullueshëm dhe me dëshirë të madhe për fanellën. Falënderoj të gjithë, edhe mediat që na kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim. Është hera e dytë në Europian dhe do të provojmë të bëjmë më mirë se herën e parë. Atje ka shumë kualitet dhe është më e vështirë, por shpresoj të bëjmë sa më mirë.” (A2 Televizion)