Një humbje me rezultatin e ngushtë 84-79, që me pak fat mund të ishte fitore. Shqipëria nisi në këtë mënyrë rrugëtimin në Grupin C të para-eliminatoreve të Kampionatit Botëror në basketboll për meshkuj.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Erkand Karaj u thyen vetëm në fund nga Armenia, në duelin e zhvilluar në Jerevan. Diferencën në parket e bëri perioda e dytë, e cila ishte më e mirë për vendasit, por edhe minutat e fundit të sfidës.
Armenia regjistroi fitoren e parë në grup, pasi ishte mposhtur në debutim nga Austria. Shqipëria kthehet në parket më 21 nëntor, ku pret Austrinë në Tiranë. Për t’u duartrokitur në ndeshjen në Armeni ishte fakti që publiku prej thuajse 5 mijë spektatorësh mbajti një minutë heshtje për ish-basketbollistin 16-vjeçar, Alteo Hysenin, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike në pallatin e sportit Asllan Rusi, pasi po festonte fitoren e ish-shokëve të skuadrës. (A2 Televizion)