Sylvinho për "Marca": Duam Euro 2024!

Nga A2 CNN
9 Gusht 2023, 12:30 | Aktualitet
Sylvinho për "Marca": Duam Euro 2024!

Spanjollët e njihnin Sylvinhon si fitues të Tripletës me Barcelonën në vitin 2009. Por, tashmë në Gadishullin Iberik e njohin edhe për ambiciet me Shqipërinë. Trajneri i Kombëtares nuk humbet rastin të tregojë se objektivi i kuqezinjve mbetet kualifikimi në Euro 2024 në Gjermani.

Shqipëria ka lojtarë cilësorë, të përkushtuar që luajnë në nivele të larta të futbollit europian. Jemi në vendin e duhur të klasifikimit edhe pse grupi është i vështirë. Gjithsesi, objektivi ynë mbetet kualifikimi në Euro 2024. Mendoj se kjo do të vendoset në ndeshjet e fundit. Është mëkat që nuk kemi pasur në  dispozicion Brojën dhe Kumbullën prej dëmtimeve. E bëjmë punën me qetësi dhe kemi gjithçka na nevojitet.

Sylvinho, trajner i Kombëtares

Braziliani foli edhe rreth punës në krye të stolit shqiptar. Specifikat që ka drejtimi i një ekipi përfaqësues dhe çfarë ka planifikuar për ndeshjet vendimtare të shtatorit.

Kam preferuar të punoj duke jetuar në Tiranë. Gjërat po shkojnë mirë, kemi marrë disa rezultate të mira dhe ka shumë entuziazëm për të ardhmen. Drejtimi i Kombëtares është disi i komplikuar, me stafin i planifikojmë grumbullimet. Në këtë periudhë lojtarët vijnë nga faza përgatitore, duhet të gjejmë ata që janë më të përgatitur për dy ndeshjet e datave 7 dhe 10 shtator.

Sylvinho, trajner i Kombëtares

Më 7 shtator, Kombëtarja luan transfertën me Çekinë që kryeson grupin E kualifikues, teksa më 10 shtator pret Poloninë në Tiranë, për t’u konfirmuar në vendin e dytë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë